Nigel Farage, kreu i partisë “Reform UK”, ka vijuar replikat e ashpra me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se debati shkon përtej shifrave të shqiptarëve në Britaninë e Madhe dhe prek një “qejfmbetje” të tij ndaj kritikave të Ramës për nismat mbi emigrantët. Në një intervistë për Top Channel, Farage këmbëngul se ka fituar “bastin” me Ramën dhe shpreh hapur pakënaqësinë e tij për qëndrimet kritike të kryeministrit shqiptar ndaj Brexit.
Farage theksoi se çështja e të burgosurve të huaj është një problem i madh në Britaninë e Madhe, me mbi 10,000 të burgosur të kombësive të huaja, duke shkaktuar tejmbushje burgjesh dhe lirimin e parakohshëm të kriminelëve seriozë. Ai u shpreh se shqiptarët e burgosur nuk duhet të jenë në Britani, por duhet të kthehen në Shqipëri.
“Kryeministri juaj, zoti Rama, i cili asnjëherë nuk ka turp dhe është argëtues, dhe natyrisht është kundër Brexit, paçka se Brexit nuk ka të bëjë fare me të. Këtë kurrë nuk e kam kuptuar,” u shpreh Farage. Ai iu referua deklaratës së Ramës në “The Guardian”, ku ai vuri në pikëpyetje shifrat e Farage, duke thënë se 1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg ishte “çmenduri” dhe u angazhua t’i marrë në Shqipëri nëse shifrat rezultonin të vërteta.
“Kam bërë kontrollet dhe rikntrollet e mia të shifrave dhe statistikat zyrtare të qeverisë të tetorit 2024 tregojnë se janë afërsisht 53,000 shqiptarë në Britani dhe prej tyre 1,200 në burgje. Pra ekzaktësisht 1 në 50 është në burg,” pohoi Farage. Ai shtoi se nëse Rama thotë se janë më shumë shqiptarë në Britani për shkak të atyre që kanë ardhur ilegalisht me gomone, kjo vetëm sa e bën shifrën e atyre që nuk duhet të jenë në Britani më të madhe. “Unë dua t’ju them se kryeministri juaj e ka gabim në të gjitha çfarë ka thënë,” tha Farage, duke shtuar: “Hajde tani Edi, pasi më premtove, unë i nxora shifrat, ata tashmë janë të tutë t’i marrësh.”
Rama “E Shijon Përballjen në Twitter”, Farage Këmbëngul te Shifrat e Tij
Farage shprehu habinë e tij për përgjigjet e Ramës në X (ish-Twitter), pasi ai kërkoi kthimin e të dënuarve shqiptarë. “Ai kritikoi vendin tim duke thënë se jemi zhytur në një vend me errësirë duke marrë në konsideratë dërgimin e emigrantëve jashtë. Unë i thashë se kjo është hipokrizi pasi vendi juaj ka negociuar me Melonin e Italisë për të marrë emigrantë,” tha Farage. “Ai nuk mund të jetë kritik dhe me standarde të dyfishta dhe për këtë duhet të marrë të burgosurit shqiptarë e t’i kthejë ata në vendlindje. Ai po e shijon përballjen me mua në Twitter.”
Pavarësisht kritikave të mëparshme të Ramës ndaj politikanëve britanikë si Suella Braverman dhe Robert Jenrick, Farage beson se Rama ka ndezur një “përplasje për një çështje të gabuar”. “Shifrat e mia janë në rregull. Numrat e Edi Ramës janë gabim. Ai ka bërë një premtim dhe unë dua që ta respektojë,” theksoi Farage.
Gatishmëria për Debat Ballë Për Ballë dhe Vizitë në Tiranë
I pyetur nëse është i gatshëm të debatojë ballë për ballë me Kryeministrin Edi Rama, Farage u përgjigj: “Shiko, edhe pse unë tani nuk pajtohem me filozofinë e tij dhe shifrat i ka gabim, unë nuk e kam takuar akoma. Për mua ai është një figurë argëtuese. Kështu, nëse unë ftohem në Tiranë për drekë me Edi Ramën, unë do të vij.”
Në lidhje me saktësinë e shifrës “1 në 50 shqiptarë në burg”, Farage mbeti i palëkundur, duke theksuar se nëse ka më shumë shqiptarë ilegalisht në Britani, kjo e forcon argumentin e tij. “Nëse mbrojtja e Ramës është se Nigel është gabim sepse shumë prej tyre janë ilegalë, kjo e bën çështjen në favorin tim dhe në mënyrë fondamentale gabim për Ramën. Shifrat i kam në rregull. Ato janë shifra të rregullta zyrtare.”
Pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në transferimin e të dënuarve dhe dëbimin e emigrantëve ilegalë, si dhe bashkëpunimit midis SPAK dhe NCA, Farage e cilësoi këtë si “një fillim”. “Nëse flasim për këtë bashkëpunim, e bën edhe më të çuditshëm pse kryeministri juaj më sulmon mua. Kjo nuk bën sens. Është vetëm një fillim zoti Rama. Kur unë do të vij t’ju takoj për drekë, do të flasim gjatë dhe do të kemi marrëdhënie të mira mes dy vendeve, natyrisht nëse ai ndal sulmin ndaj Brexit.”