Tiranë – Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish deputetit britanik Nigel Farage, duke hedhur poshtë shifrat e tij mbi shqiptarët në burgjet e Britanisë dhe duke e ftuar atë për një vizitë në Shqipëri. Farage kishte deklaruar se “1 në 48 shqiptarë në Britani janë në burg,” shifër që Rama e ka cilësuar si “qesharake” dhe “djallëzore.”
Në një mesazh publik, Rama theksoi se shifrat e Farage-it janë gabim dhe se numri i shqiptarëve në Britani është shumë më i lartë se 53,000, duke sugjeruar se ai mund të arrijë deri në 140,000. Ai iu referua edhe vetë burimit të Farage, The Telegraph, që më vonë pranoi se analiza kishte nënvlerësuar popullsinë shqiptare.
Rama theksoi se shqiptarët në Britani janë kryesisht studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, pronarë biznesi dhe partnerë, jo thjesht statistika për “teatër politik pas Brexit-it.” Ai shtoi se qeveria shqiptare ka bashkëpunuar ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar për të ulur migracionin e paligjshëm dhe për të goditur krimin.
Për ta shoqëruar përgjigjen e tij, Kryeministri postoi një foto të krijuar me Inteligjencë Artificiale ku ai dhe Farage shfaqen duke pushuar në plazhet shqiptare, duke përsëritur ftesën e tij për një vizitë në Shqipëri. “Pres me padurim t’ju mirëpres në Shqipëri siç u premtua, për të ndarë shumë diell të mrekullueshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte reale,” shkroi Rama.