Një 27-vjeçar shqiptar, Gleni Goleci, është dënuar me 7 vite e gjysmë burg në Londër, pasi u kap me një sasi të madhe kokaine dhe para të gatshme. Ish-lojtari i të rinjve të Shkëndisë së Tiranës u arrestua në janar gjatë një operacioni të Partneritetit të Krimit të Organizuar, njësi e përbashkët mes Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Policisë Metropolitane.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij “Hyundai,” policia gjeti 1.5 kilogram kokainë dhe rreth 20 mijë paund në bagazh. Hetimet e mëtejshme në banesën e tij në Brentford zbuluan edhe gjashtë kilogramë të tjerë kokaine dhe afërsisht 60 mijë paund cash.
Goleci, që qëndronte ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar pa vendbanim të caktuar, u shpall fajtor për trafik droge dhe posedim të pasurisë së fituar nga aktiviteti kriminal. Dikur një futbollist premtues në Shqipëri, ai duket se kishte ndërruar rrugën, duke u kthyer në një figurë kyç në tregun e kokainës me shumicë në Londër.
Ky rast vijon të jetë një shembull i përfshirjes së disa individëve shqiptarë në trafikun ndërkombëtar të drogës në Mbretërinë e Bashkuar.