Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ripërsëritur pretendimin se Serbia dhe Kosova ishin në prag të një konflikti të madh, të cilin ai pretendon se e shmangi përmes ndërhyrjes së tij. Gjatë një konference për shtyp këtë të premte, Trump deklaroi se ndërhyri duke u thënë dy palëve se do të humbnin tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse do të përplaseshin.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe. U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: Ndoshta nuk do të përplasemi,” tha Trump.
Kjo nuk është hera e parë që Trump e përmend këtë si një sukses të politikës së tij të jashtme. Vetëm para dy ditësh, ai foli sërish për Serbinë dhe rrezikun që ajo paraqiste, duke theksuar se kishte parandaluar një përplasje. “Ne e përfunduam edhe me Serbinë, e cila ishte gati të fillonte një përplasje,” deklaroi ai.