Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta sigurie për protestën e paralajmëruar sot në Tiranë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është “blinduar” me prani të madhe të forcave policore, duke përfshirë rreth 1200 efektivë në terren.
Në gatishmëri janë vendosur edhe njësitë speciale të RENEA-s dhe efektivët e Gardës së Republikës, të cilët pritet të ndërhyjnë në rast të situatave të rrezikshme.
Zyrtarët e policisë kanë deklaruar se masat janë marrë për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit publik. Barriera sigurie janë vendosur pranë institucioneve qeveritare, ndërsa rrugët kryesore që të çojnë drejt sheshit janë nën mbikëqyrje të rreptë.
Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se tubimi do të jetë masiv dhe paqësor, ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin zonën për të evituar pengesa në qarkullim.