Vrasje Fier Grei Bihuci Florian Muka Klajdi Muka Gjykata Fier Dënim Moskallëzim Krimi Prokuroria Vetëmbrojtje Pendesa

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dhënë vendimin për vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci, ngjarje e ndodhur më 11 mars 2024. Autori i vrasjes, Florian Muka, u dënua me 12 vite burg, një dënim dukshëm më i ulët nga 25 vite që kishte kërkuar Prokuroria. Ky vendim erdhi pasi Muka pranoi krimin dhe shprehu pendesë, duke kërkuar falje.

I mituri Klajdi Muka, kushëriri i Florianit, i cili ishte i pranishëm në ngjarje por pa përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasje, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi. Meqenëse ai e kishte kryer tashmë këtë kohë dënimi në paraburgim, Klajdi Muka u lirua menjëherë pas vendimit.

Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Trupi gjykues përbëhej nga kryetari Genci Busho dhe anëtarët Vladimir Cjapi dhe Elira Hroni. Prokuror i çështjes ishte Petrit Vukaj, ndërsa mbrojtja e dy të akuzuarve u përfaqësua nga avokat Ervis Goxhaj.

Prokurori Vukaj kishte kërkuar shpalljen fajtor të Florian Mukës me 25 vjet burg për akuzën e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim (neni 78/1 i Kodit Penal), dhe 12 vjet burg për të miturin Klajdi Muka.

Nga ana e mbrojtjes, avokati Goxhaj theksoi se Floriani e kishte pranuar vrasjen, por kishte pretenduar se e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa Klajdi Muka, 16 vjeç, pohoi se kishte qenë prezent gjatë sherrit dhe vrasjes, por nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Të dy të akuzuarit shprehën pendesë dhe kërkuan falje për veprimet e tyre.

Në fund, Gjykata vendosi për Florian Mukën dënimin me 12 vite burg bazuar në nenin 76 të Kodit Penal, duke marrë parasysh pranimin e krimit dhe shfaqjen e pendesës. Për Klajdi Mukën, dënimi u reduktua në 1 vit burg për moskallëzim krimi, dhe meqenëse ai e kishte kryer këtë kohë në paraburgim, u la i lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *