Një operacion i përbashkët mes Interpol Tiranës dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britani ka çuar në arrestimin e Lorenc Lalës, 47 vjeç, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Laert Haxhiut. Lala është një person i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i akuzuar për konspiracion për të realizuar vrasje.
Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve, të cilave u referohet Top Channel, Lorenc Lala do të dalë sërish para gjykatës më 24 qershor. Ai është lënë në paraburgim deri në atë datë, për shkak të rrezikshmërisë dhe përfshirjes së tij në një organizatë kriminale.
Drejtësia shqiptare e kërkon Lorenc Lalën, i njohur edhe si Kristian Lala, për përfshirje në vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit. Hetimet tregojnë se kjo vrasje është kryer kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh, shuma e të cilës dyshohet se i është dhënë Laert Haxhiut pikërisht nga Lala.
Dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtor i prokurorisë, ka zbuluar detaje kyçe rreth kësaj ngjarjeje. Tafani ka rrëfyer se vrasjen e Bashaliut e ka kryer ai vetë, së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun. Sipas hetimeve, shuma financiare e paguar nga Lala drejt Laert Haxhiut shërbeu për të mobilizuar grupin e tij kriminal për të kryer vrasjen.