Tiranë, Shqipëri — Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për sesionin e ri parlamentar, duke organizuar një “shkollë verore” të posaçme për deputetët e rinj dhe disa prej ministrave aktualë. Kjo iniciativë vjen pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama pas fitores së zgjedhjeve të 11 Majit, ku ai theksoi nevojën për një sesion të posaçëm të Akademisë Politike për të gjithë deputetët që do të hyjnë për herë të parë në Kuvend.
Shkolla verore do të nisë më 20 qershor dhe do të zgjasë deri në fund të korrikut, me mësimet që do të mbahen në selinë e Partisë Socialiste. Pjesë e këtij trajnimi do të jenë deputetët e rinj socialistë, si dhe 9 ministra aktualë.
Qëllimi i këtij programi është njohja e deputetëve me praktikën legjislative, sjelljen në parlament, detyrat dhe të drejtat që u jep Kushtetuta për ta kryer sa më mirë detyrën e tyre. Leksioni i parë do të mbahet nga vetë kryeministri Edi Rama.
Për të ndarë eksperiencat e tyre parlamentare, do të marrin pjesë edhe figura me përvojë si Niko Peleshi dhe Erion Braçe. Fokusi i kësaj shkolle verore është që “rishtarët” socialistë të kuptojnë rolin e tyre kushtetues, të mësojnë si ndërtohet marrëdhënia me elektoratin dhe të marrin njohuri të thelluara rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo nismë synon të sigurojë që anëtarët e rinj të grupit parlamentar socialist të jenë të përgatitur plotësisht për sfidat dhe përgjegjësitë e rolit të tyre legjislativ.