Izraeli ka paralajmëruar se do të ndalojë me forcë çdo përpjekje për të thyer bllokadën detare të Rripit të Gazës. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të dielën se bllokada është thelbësore për të parandaluar Hamasin nga importimi i armëve, duke theksuar se askush nuk do të lejohet ta shkelë atë.
Në një postim në X, Katz bëri të ditur se i ka udhëzuar Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) “të veprojnë për të parandaluar varkën e urrejtjes Madleen” që të arrijë në brigjet e Gazës. Mesazhi i tij ishte i qartë: “Duhet të ktheheni prapa – sepse nuk do të arrini në Gaza.”
Anija Madleen, e operuar nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, u nis nga Siçilia të dielën e kaluar me një mision që synon të thyejë bllokadën detare dhe të ofrojë ndihmë humanitare. Ky veprim ka për qëllim gjithashtu rritjen e ndërgjegjësimit mbi krizën humanitare në rritje brenda enklavës palestineze. Aktivistët kishin bërë të ditur se planifikonin të arrinin në ujërat territoriale të Gazës po të dielën.
Në bordin e anijes ndodhen 12 aktivistë, përfshirë aktivisten e njohur klimatike Greta Thunberg. Gjithashtu, mes pasagjerëve janë Rima Hassan, anëtare franceze e Parlamentit Evropian me prejardhje palestineze, si dhe aktori i “Game of Thrones”, Liam Cunningham.
Ky incident vjen në një kohë kur Gaza po përballet me një krizë humanitare të thellë. Pas një bllokade totale tremujore, Izraeli filloi të lejonte disa ndihma bazike në Gaza muajin e kaluar. Megjithatë, punonjësit humanitarë kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e urisë nëse bllokada dhe konflikti nuk marrin fund.