Pagat mesatare në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme në vitin 2024, sipas raportit vjetor “Niveli i Pagave në Kosovë” të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Paga mesatare bruto arriti në 639 euro, nga 570 euro në vitin 2023, duke regjistruar një rritje prej 69 eurosh. Ndërkohë, paga mesatare neto u rrit në 552 euro, nga 506 euro një vit më parë, një shtim prej 46 eurosh.
Rritje e theksuar në Sektorin Privat
Sektori privat ka parë një rritje veçanërisht të lartë të pagave. Paga mesatare bruto në këtë sektor shkoi në 598 euro në 2024, nga 515 euro në 2023, një rritje prej 83 eurosh. Paga neto në privat u rrit në 513 euro, nga 459 euro.
Situata në Sektorin Publik dhe Ndërmarrjet Publike
Në sektorin publik (administratë), paga mesatare bruto në 2024 ishte 755 euro, një rritje prej 131 eurosh (21%) krahasuar me 624 euro në vitin 2020. Paga neto në këtë sektor arriti në 668 euro nga 552 euro në 2020.
Ndërsa ndërmarrjet publike shënuan një rritje më të moderuar. Paga mesatare bruto arriti në 783 euro në 2024, nga 769 euro në 2020 (rritje prej 1.8%). Paga neto në këtë sektor u rrit me vetëm 5 euro, nga 680 në 685 euro.
Pagat sipas Aktiviteteve Ekonomike
Sipas ASK-së, sektori i ndërmarrjeve publike vazhdon të ketë pagat më të larta, ndërsa sektori privat mbetet me pagat më të ulëta.
Në vitin 2024, aktivitetet me pagat më të larta ishin:
- Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar: Paga bruto 1,105 euro; paga neto 970 euro.
- Informimi dhe komunikimi: Paga bruto 1,090 euro; paga neto 935 euro.
Aktiviteti me pagat më të ulëta ishte:
- Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim: Paga bruto 389 euro; paga neto 331 euro.