Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar dhe po bën përgatitjet finale për ndeshjen e rëndësishme kundër Serbisë, e cila do të luhet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Pavarësisht atmosferës së madhe që shoqëron këtë përballje, skuadra po punon në qetësi, e shkëputur nga zhurma e jashtme.
Në konferencën e parë për shtyp para ndeshjes, folën Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi. Hysaj, i cili e njeh mirë historikun e kësaj përballjeje, duke përfshirë edhe incidentin e vitit 2014, theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Për Qazim Laçin, tashmë një lojtar kyç në mesfushën e Sylvinhos, kjo do të jetë hera e parë që përballet me Serbinë.
Kristian Asllani ishte lojtari i fundit që iu bashkua grumbullimit, pasi luajti në finalen e Champions League me Interin. Pjesa tjetër e ekipit ka zhvilluar stërvitje në Durrës javën e kaluar dhe tani janë rikthyer në rutinën e tyre stërvitore në Shtëpinë e Futbollit në Tiranë. Seancat stërvitore janë mbajtur me fshehtësi të plotë nga trajneri Sylvinho, me vetëm pak minuta hapësirë për mediat në pjesën e nxehjes. Kjo tregon rëndësinë e madhe që i është dhënë kësaj ndeshjeje, e cila konsiderohet si ndaj një kundërshtari direkt. Interesi i lartë ka bërë që mbi 200,000 kërkesa për bileta të mbeten të pamundura për t’u plotësuar.