Në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, Policia e Shtetit dhe homologët e saj në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar në Dubai Armis Stafën, 36 vjeç, i cili akuzohet për pastrim parash nëpërmjet shitblerjes së automjeteve. Stafa dyshohet se ka pastruar paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të cilat janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Arrestimi i Stafës, me origjinë nga Elbasani, erdhi si pjesë e operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Stafën në vitin 2024.
Stafa akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, ku dyshohet se në bashkëpunim me të tjerë, ka ndihmuar në pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale të grupit “Çopja”. Vëllezërit Çopja janë akuzuar më parë si krerët e një organizate kriminale të përfshirë në vrasje, trafik ndërkombëtar narkotikësh, skema komplekse të pastrimit të parave, korruptim zyrtarësh të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit.
Ky arrestim shënon një tjetër sukses në goditjen e grupit kriminal “Çopja”. Më parë, SPAK ka sekuestruar pasuri të paluajtshme dhe kriptovaluta me vlerë miliona euro të lidhura me këtë grup. Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet e Abu Dhabi-t për të finalizuar procedurat e ekstradimit të Stafës në Shqipëri.