Alesia Balliu, ish-anëtare e Partisë Demokratike, ka hedhur akuza të rënda ndaj procesit të primareve në PD, duke pretenduar se ai është manipuluar nga figura të larta të partisë. Në një intervistë për “Studio Live” në Report TV, Balliu ka publikuar mesazhe që sipas saj tregojnë pazare mes Flamur Nokës dhe Luçiano Boçit për të futur në listë emra të lidhur me Partinë Socialiste.
Balliu, e cila u largua nga lista e hapur e PD në Elbasan dhe iu bashkua partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, pretendon se Luçiano Boçi ka orientuar votën drejt Klodiana Çapjas, duke siguruar fitoren e saj në primare. Ajo publikoi një mesazh të dërguar nga një qytetar demokrat drejtuar Flamur Nokës, ku akuzohet se së bashku me Boçin kanë bërë këtë lëvizje.
“Erdhi dita që më erdhën edhe prova që kjo gjë është e vërtetë. Bëhet fjalë për Klodiana Çapja. Ka qenë bashkëpunim dhe e kanë vendosur. Mua më kanë ardhur prova materiale që kjo ka ndodhur pa u zhvilluar primaret. Këtu tregohet se si Flamur Noka vërteton qartazi se Luçiano Boçi ka bërë telefonata që kjo vajzë të dalë fituese në primaret e degës së Elbasanit,” deklaroi Balliu.
Ajo theksoi se një demokrat në Elbasan i kishte dërguar Nokës një link të një gazete që raportonte për lidhjet e Klodiana Çapjas me miq të ngushtë të Edi Ramës. Balliu dyshon se Rama është i përfshirë në këtë proces, duke premtuar se do të publikojë prova të tjera në ditët në vijim.
“Ka qenë proces i parapërgatitur. E bëri garën që të zhvillohej. I kam shkruar zotit Noka por nuk kam marrë përgjigje. Dyshoj se është Rama nga pas për arsye të shumta të disa fotografive që do t’ua servir në ditët në vijim,” u shpreh ajo.
Akuzat e Balliut kanë ngjallur reagime të forta dhe kanë vënë në pikëpyetje integritetin e procesit të primareve në Partinë Demokratike.