Arrestohet e dashura e Safet Bajrit, dyshohet për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit
E dashura e Safet Bajrit është arrestuar në lidhje me dyshimet për përfshirjen e saj në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në Shkodër. E.A., pronare e një dyqani në “Myslym Shyri”, u arrestua pesë ditë pas partnerit të saj.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj saj masën e arrestit me burg, duke e akuzuar për krijimin e kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje të autorit të krimit. Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala zbardhi rolin e E.A. në ngjarjen e vitit 2018, e cila përplasi dy familjet Lici dhe Bajri.
E.A. ndodhet aktualisht në burgun e grave në Pojskë të Pogradecit. Arrestimi i saj u krye nga departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
Safet dhe Behar Bajri, si dhe Astmer Bilali, akuzohen nga SPAK për ekzekutimin e Fatbardh Licit, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e ish-policit Boran Berçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci.