Trump dyfishon tarifat ndaj Kanadasë, tensionet tregtare përshkallëzohen
Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë janë rritur ndjeshëm, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja ndaj importeve kanadeze të çelikut dhe aluminit. Vendimi vjen si përgjigje ndaj lëvizjes së Kanadasë për të vendosur tarifa për energjinë elektrike që eksporton në shtetet e mesperëndimit të SHBA-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump njoftoi se do të vendosë menjëherë një tarifë tjetër prej 25% ndaj Otavës për importet e çelikut dhe aluminit. Kjo tarifë do t’i shtohet 25% të tjera që ai ka vendosur tashmë, por që aktualisht janë “ngrirë” deri më 2 prill. Kështu, tarifat totale ndaj çelikut dhe aluminit kanadez do të arrijnë në 50%, duke e bërë Kanadanë vendin me tarifat më të larta amerikane në botë në këtë fushë.
Vendimi i Trump tregon qartë se administrata e tij nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo çështje, pavarësisht reagimeve të vazhdueshme nga tregjet. Për më tepër, në të njëjtin mesazh, Trump u bëri thirrje kanadezëve të kërkojnë të bëhen shteti i 51-të i SHBA-së, duke premtuar se tarifat do të zhduken dhe taksat e tyre do të ulen ndjeshëm.
Ky veprim i Trump përshkallëzon tensionet tregtare mes dy vendeve dhe mund të ketë pasoja të rënda ekonomike.