Gjykata e Lartë vulos dënimin e Salianjit, 1 vit burg për “Babalen”, ish-deputeti: Vendim politik
Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke lënë në fuqi dënimin e tij me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, në lidhje me çështjen e njohur si “Babale”. Ky vendim shënon një pikë kulmore në një proces gjyqësor që ka ngjallur debate të forta politike dhe juridike në vend.
Salianji u dënua për kallëzim të rremë, pas akuzave të ngritura në lidhje me një përgjim të pretenduar që lidhej me vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ish-deputeti demokrat kishte kërkuar pafajësi dhe prishjen e vendimit të Apelit, por Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e tij. Njësoj veproi dhe për rekursin e gazetarit Jetmir Olldashi, i përfshirë gjithashtu në këtë çështje.
Në një reagim të publikuar nga burgu i Fierit, ku Salianji po vuan dënimin, ai e cilësoi vendimin si një akt politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. “Ky dënim politik bëhet për të më eliminuar nga beteja politike,” deklaroi Salianji, duke paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Çështja “Babale” ka qenë një nga temat më të diskutueshme në politikën shqiptare, duke sjellë akuza të ndërsjella mes palëve politike. Vendimi i Gjykatës së Lartë tani e mbyll këtë kapitull në nivel kombëtar, por pritet që të vazhdojë të jetë objekt i debateve dhe kontestimeve në arenën politike dhe juridike.