Rrjet i Skllavërisë Dixhitale në Vlorë: Mafia Sllave Rekrutonte Ukrainas me Poligraf dhe Dhunë, Paguante me Bitcoin
Një organizatë kriminale ndërkombëtare sllave po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) pas zbulimit të një baze në Vlorë, ku u gjetën 24 të rinj ukrainas, mjeshtra të IT, të detyruar të punojnë në kushte skllavërie. Organizata, që operonte në “dark web”, rekrutonte viktima nëpër Evropë, përfshirë Varshavën, duke përdorur aplikacione të enkriptuara dhe duke ofruar “punë sekrete” në Shqipëri.
Rekrutimi bëhej përmes platformave të tilla si Telegram, dhe para se të angazhoheshin, viktimat i nënshtroheshin testit të poligrafit për të zbuluar nëse ishin të lidhur me policinë, gazetarë apo përdorues droge. “Më rekrutuan në Varshavë. Më bënë testin e poligrafit për të zbuluar nëse isha i lidhur me policinë, gazetar apo përdorues. Do paguhesha 250 dollarë në javë dhe 25 dollarë për këdo që rekrutoja,” dëshmoi Danieli, një prej viktimave, në Gjykatën e Posaçme.
Pasi rekrutoheshin, të rinjtë dërgoheshin në Vlorë, ku detyroheshin të punonin në kompjuter, duke kryer aktivitete të paligjshme në “dark web”. Pagesat bëheshin me Bitcoin dhe monedha virtuale, duke vështirësuar gjurmimin e transaksioneve.
Hetimet e SPAK zbuluan se organizata përdorte dhunë për të kontrolluar viktimat. Kirili, një tjetër ukrainas, dëshmoi se ishte dhunuar pasi kishte zbuluar informacione të brendshme dhe madje ishte filmuar, me pamjet e dërguara në Varshavë.
“Ata më dhunuan sepse zbulova informacione,” tha Kirili në gjykatë.
Autoritetet u aktivizuan pas një ankese nga ambasada e Ukrainës, bazuar në informacionin e Volodymir Savinov, i cili sinjalizoi se nipi i tij ukrainas po detyrohej të punonte me dhunë.
SPAK po heton çështjen për akuzën e trafikimit të personave të rritur dhe po siguron prova për të parandaluar ndryshimin e tyre. Të gjithë shtetasit e gjetur në Vlorë po mbahen në një qendër për trajtimin e viktimave dhe po merren në pyetje në Gjykatën e Posaçme, në seanca me dyer të mbyllura.