TIRANË – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia, duke kundërshtuar argumentin e gjyqtarit Erion Bani për rrezikun e arratisjes. Ai thotë se ndodhet në burg pa gjyq dhe ngre pyetjen se përse nuk iu vendos një masë më e lehtë, si heqja e pasaportës, në mënyrë që të vijonte punën për qytetin.
Veliaj thekson se ditën kur u arrestua nga agjentët e BKH-së, ai ishte kthyer nga një udhëtim në Gjermani. Për më tepër, ai përmend edhe dy udhëtime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 30 dhjetor dhe 20 janar, nga të cilat është rikthyer sërish në Tiranë.
“Ku është rreziku i arratisjes kur unë vetë jam kthyer në Shqipëri? A nuk do mjaftonte heqja e pasaportës që edhe hetimet të mos cënoheshin, por edhe unë të vazhdoja punët për Tiranën?” – shkruan Veliaj.
Ai vijon të mbrojë pafajësinë e tij dhe e cilëson arrestimin e tij si një masë e padrejtë, duke kërkuar që të lejohet të vazhdojë punën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.