Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë për situatën e rënduar në sistemin shëndetësor, duke e cilësuar atë si katastrofike. Në fjalën e tij në Kuvend, Noka tha se spitalet janë në kushte të mjerueshme dhe se qytetarët, sidomos pacientët e Spitalit Onkologjik, po vdesin për mungesë shërbimesh të duhura.
Ai veçoi situatën në spitalet e Lushnjës dhe Hasit, duke deklaruar se ky i fundit është mbyllur dhe është kthyer në një sallë për kuaj.
“Më shkruajnë qytetarë nga e gjithë Shqipëria për spitalet në gjendje të rëndë. Spitali i Hasit është mbyllur dhe është kthyer në një sallë kuajsh. Nuk skuqen! Kur bën trafik parash droge me Toyota Yaris, e ke humbur fytyrën,” – u shpreh ai.
Gjithashtu, Noka përgëzoi SHBA-në për qëndrimin e saj kundër asaj që ai e quajti “regjim të George Soros”, duke e cilësuar si një diferencim të qartë mes atyre që kërkojnë zhvillimin dhe atyre që, sipas tij, mbështesin korrupsionin.
“Amerika ka diferencuar ata që dëshirojnë zhvillimin nga ata që janë me Soros. Mirënjohje SHBA-ve që nuk mbështesin një regjim të George Soros. Këta nuk e shpëtojnë dot lëkurën, do të kenë punë me ligjin,” – përfundoi Noka.