Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila la në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij. Në një deklaratë për mediat, Meta e quajti këtë një “pengesë fiktive” dhe theksoi se çështja e tij do të shkojë në Gjykatën e Strasburgut.
“Sot hodhëm një hap pozitiv sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Strasburgut. Pa asnjë diskutim do të fitojmë, ashtu siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër Ramaformës,” deklaroi Meta.
Ai gjithashtu e lidhi situatën aktuale me mitingun e 2 marsit dhe ftoi qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme për të rrëzuar qeverinë.
“Mos harroni se 2 marsi po vjen, mitingu kombëtar në mbrojtje të Kushtetutës, ku u ç’montua Rama-reforma. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve patriotë të regjistrohen në zgjedhje. Më 11 maj do të ndahemi përfundimisht nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij,” theksoi ai.
Meta akuzoi qeverinë për kapjen e drejtësisë dhe përpjekje për të kontrolluar proceset demokratike në vend. Ai përsëriti thirrjet e tij për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar përballje politike në muajt e ardhshëm.