Gjykata e Sarandës ka vendosur masën “arrest në burg” për dy gratë, Silvana Osmani, 42 vjeçe, dhe Luljeta Doda, 39 vjeçe, të arrestuara nga policia pas një operacioni të koduar “Silent Watch”. Arrestimi i tyre erdhi pas rreth dy muajsh hetime për shfrytëzimin e një shtetaseje të mitur për prostitucion.
Prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi masën “Arrest në burg”, kërkesë e cila u mbështet edhe nga gjyqtari Fatmir Ndreu, i cili e vlerësoi arrestimin si të ligjshëm. Seanca gjyqësore zgjati rreth 3 orë, dhe avokati i të arrestuarave, Armand Çaushi, deklaroi se arrestimi ishte vlerësuar i ligjshëm dhe se nuk mund të jepeshin detaje të tjera për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes dhe përfshirjes së viktimave të mitura.
Ndërkohë, avokati tjetër, Brigels Dervishi, tha se ata ishin njohur me detajet e dosjes, por nuk mund të ofronin informacione shtesë. Ai mohoi kategorikisht akuzat për klientet e tij dhe theksoi se do të shqyrtonin mundësinë e apelimit të vendimit të gjykatës.