Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ai do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar lidhur me skandalin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Berisha akuzoi Ramën për përfshirje në korrupsion dhe përpjekje për të dëmtuar opozitën përmes lidhjeve të tij me McGonigal.
Sipas tij, Rama është tashmë i rrethuar nga një sërë skandalesh dhe nuk do të mund t’i shmanget përgjegjësisë, pavarësisht përpjekjeve për të mbrojtur veten dhe qeverinë e tij. Largimi nga vendi i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, sipas Berishës, ka shkaktuar panik brenda qeverisë, veçanërisht pas sekuestrimit të laptopit të tij.
Një tjetër pikë e sulmeve të Berishës ishte edhe vendimi i rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës për të folur para grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Berisha e cilësoi këtë veprim si një “njollosje” të institucionit akademik dhe një akt që minon pavarësinë e universitetit.
Në një mbledhje me deputetët demokratë, ai i bëri thirrje grupit të fokusohet në prezantimin e programit qeverisës të Partisë Demokratike, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me Edi Ramën për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë.