Një incident i rëndë me armë ka ndodhur këtë të mërkurë (26 shkurt) në qytetin e Bielefeldit, Gjermani, ku raportohet për të paktën tre të plagosur. Ngjarja ndodhi pas përfundimit të seancës gjyqësore për vrasjen e boksierit shqiptar Besar Nimani, i cili u ekzekutua më 9 mars 2024 në të njëjtin qytet. I akuzuari kryesor në këtë proces është Huseyin Akkurt.
Sipas burimeve gjermane, të shtënat nisën rreth orës 13:30 me kohën lokale, rreth 150 metra larg gjykatës. Gazeta gjermane “Bild” raporton se të paktën dy persona, të cilët dyshohet të jenë anëtarë të familjes së të akuzuarit, u qëlluan. Njëri u plagos në këmbë, ndërsa tjetri në gjoks dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Ndërkohë, gazeta “Neue Westfalische” flet për të paktën tre persona të plagosur.
Policia ka arrestuar një nga të dyshuarit për sulmin, ndërsa një tjetër është ende në arrati. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e ngjarjes.
Incidenti ka shkaktuar shqetësim të madh në Gjermani, veçanërisht për sigurinë në seancat gjyqësore me rrezik të lartë.