Tiranë, dy gra procedohen për dhunë ndaj partnerëve, një burrë arrestohet për përndjekje
Policia e Tiranës ka proceduar dy gra për dhunë ndaj partnerëve të tyre, ndërsa një burrë është arrestuar për përndjekje të ish-bashkëjetueses.
Një 25-vjeçare me iniciale K.K. është proceduar në gjendje të lirë pasi dyshohet se ka plagosur me thikë të dashurin e saj. “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. K., 25 vjeçe, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, të dashurin e saj,” njofton policia.
Një tjetër grua, me iniciale S.H., 34 vjeçe, është proceduar gjithashtu në gjendje të lirë pasi ka kanosur një 37-vjeçar nëpërmjet celularit. “Nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. H., 34 vjeçe, pasi ka kanosur nëpërmjet celularit, një 37-vjeçar,” sqaron policia.
Ndërkohë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë arrestuar 37-vjeçarin me iniciale E.I. për përndjekje të ish-bashkëjetueses së tij.